MaqedoniTop Lajme

Përplasje në VLEN: Nuk e duan Bilall Kasamin Kryetar!?

Shpërndaje

Pas largimit të Arben Taravarit, tre liderët — Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Zeqirja Ibrahimi — formuan kryesinë e re të përbashkët prej 23 anëtarësh për të shndërruar koalicionin VLEN në një parti të vetme. Kjo kryesi fillestare pritet të zgjerohet deri në 31 anëtarë.

Megjithëse në fillim u duk se VLEN po harmonizohet dhe bashkohet, sipas burimeve të portalit TS, lufta e vërtetë sapo ka nisur. Shkaku është përplasja për postin e kryetarit të VLEN-it. Anëtarët e Lëvizjes Demokratike (LD) dhe një pjesë e Alternativës refuzojnë Bilall Kasamin si kryetar, duke e cilësuar si lider grindavec, konfliktuoz, shkurtpamës, mendjemadh dhe mashtrues që nuk e mban fjalën. Sipas tyre, profili i tillë nuk përkrahet nga shqiptarët, shqiptarët duan një lider të qetë që thirr në bashkim, që duket i urtë e mbrojtës. She nëse Kasami emërohet lider, mbi 50% e anëtarëve të LD-së do të braktisin VLEN për t’u bashkuar me BDI-në.

Nga ana tjetër, anëtarët e Lëvizjes BESA kundërshtojnë që Izet Mexhiti të jetë kryetar, duke argumentuar se, pasi ka udhëhequr për 20 vite brenda BDI-së, rikthimi i tij si lider i VLEN-it do të ishte një vazhdim i së njëjtës “shkollë politike”.

Portali TS mëson se kjo përplasje e ashpër sapo ka filluar. Brenda VLEN-it po diskutohet ideja për të gjetur një figurë unifikuese, që do të udhëheqë për një vit dhe më pas të vendoset një rotacion i lidershipit. Megjithatë, kjo duket e pamundur, pasi asnjë figurë apolitike nuk pranon të jetë “kukull” e tre liderëve që kanë ambicie të mëdha për të ardhmen.

Sipas të dhënave të TS, VLEN nuk do të ketë kryetar zyrtar deri në zgjedhjet lokale, për shkak të luftës së brendshme. Pas zgjedhjeve, ata planifikojnë të përcaktojnë lidershipin përmes një metode me exit poll: partia që do të ketë më shumë mbështetje në zgjedhjet lokale do të marrë drejtimin e VLEN-it. Ky version shihet si mënyra më e saktë për të matur mbështetjen reale në opinionin publik.

Ndërkohë, anketat e fundit tregojnë se Izet Mexhiti ka kaluar me popullaritet Bilall Kasamin dhe Zeqirja Ibrahimin, duke u shfaqur si lideri me më shumë mbështetje në nivel kombëtar.

Nëse VLEN pëson humbje në zgjedhjet lokale, asnjëri nga tre liderët aktualë nuk do të jetë i gatshëm të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr formacionin në krizë.