MaqedoniTop Lajme

Deputeti ASH-së Salim Sulejmani jep dorëheqje nga pozita deputetit dhe funksionet partiake në ASH

Shpërndaje

Deputeti ASH-së Salim Sulejmani jep dorëheqje nga pozita deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe nga të gjitha funksionet partiake të ASH-së.

“Të nderuar anëtarë të Aleancës për Shqiptarët, partnerë të koalicionit VLEN, qytetarë të nderuar dhe ju media

Me përgjegjësi të plotë morale, profesionale dhe politike, ju informoj se po jap dorëheqjen time nga të gjitha funksionet partiake brenda Aleancës për Shqiptarët, si dhe nga pozita ime si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vendimi për t’u përfshirë në politikë dhe për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 lindi nga një ndjenjë e thellë përgjegjësie dhe dëshirë për të sjellë ndryshim real në jetën e qytetarëve tanë. Kam qenë gjithmonë i bindur se përmirësimi i shoqërisë kërkon jo vetëm kritikë dhe angazhim qytetar, por edhe përfshirje të drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Pra, angazhimi im nuk ishte një ambicie personale, por një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një realiteti të hidhur që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e përjetonin çdo ditë.

Koalicioni VLEN nuk ishte një bashkim i rastësishëm politik. Ai lindi si rezultat i domosdoshëm dhe i vonuar i zhgënjimit të thellë që shqiptarët përjetuan për vite me radhë nga BDI, një parti që për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e pushtetit dhe është prezantuar si përfaqësuesja legjitime e shqiptarëve, por realiteti ka treguar të kundërtën, ajo u shndërruar në një strukturë të izoluar, të lidhur ngushtë me interesat personale dhe klanore, duke keqpërdorur pushtetin për pasurim të një grushti individësh dhe duke injoruar hallet e qytetarëve të thjeshtë. Parti që dikur erdhi me premtimin e përfaqësimit të denjë, por përfundoi duke u shndërruar në simbol të korrupsionit, arrogancës dhe kapjes së shtetit. Unë u bëra pjesë e VLENI-it, sepse besoja se ky koalicion u krijua pikërisht si antipod i kësaj strukture të kalbur, si një alternativë politike që synon të rikthejë shpresën, të rivendosë drejtësinë dhe t’i japë shqiptarëve përfaqësimin e denjë që u mungon prej vitesh.

Fatkeqësisht, ajo që kemi parë në kohën e fundit është një devijim i plotë i Aleancës për Shqiptarët nga kjo frymë politike, dhe një largim i hapur nga qëllimet për të cilat u bashkuam me koalicionin VLEN. Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda.

Për këtë arsye, duke ndjekur principet e mia dhe duke pasur parasysh përgjegjësinë ndaj atyre që më mbështetën, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake dhe nga pozita ime si deputet, duke falenderuar me krejt qenien time të gjithë ata që me votuan, më kanë mbështetur dhe besuar gjatë kësaj periudhe.

Dhe për në fund!

Të dashur strugan dhe të gjithë Ju qytetarë të nderuar që më dhatë besimin dhe mbështetjen duke më votuar! Dua tu them se kauza ime nuk përfundon këtu, ajo vazhdon edhe më fuqishëm, por gjithmon me Ju dhe për Ju. Vetëm se angazhimi im do të jetë në sfera të tjera dhe në mënyrë tjetër, ku jam i sigurt se shërbimi ndaj Jush do të jetë shumëfish më i madh. Andaj ju premtoj se shumë shpejtë nga sot, do ti ndjeni frytet dhe do ti shikoni gjurmët e angazhimit tim në të ardhmen. Nga ju të dashurit e mi, dua vetëm durim dhe mirëkuptim, derisa e vërteta të dalë e plotë në sipërfaqe.

Me respekt,
Mr. Salim Sulejmani
Ish deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Deputeti ASH-së Salim Sulejmani.