RajoniTop Lajme

AKK nënshkruan memorandume bashkëpunimi me komunat veriore

Shpërndaje

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), në kuadër të projektit për Kompletimin e Sistemit të Adresave të mbështetur nga Banka Botërore, ka nënshkruar Memorandume Bashkëpunimi me komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë institucional në të gjithë territorin e Kosovës.

Pas takimeve me kryetarët dhe zyrtarët lokalë, AKK ka nisur përgatitjet për emërtimin e rrugëve dhe vendosjen e adresave, si dhe ka angazhuar zyrtarët e saj në terren.

Njoftimi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK):

Nënshkrimi i Memorandumeve të Bashkëpunimit për Sistemin e Adresave në Komunat në Veri – Një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë dhe funksionalizimit të sistemit të adresave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të projektit për Kompletimin e Sistemit të Adresave, i cili mbështetet nga Banka Botërore, është planifikuar edhe implementimi i sistemit të adresave në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt unifikimit institucional dhe zhvillimit të barabartë për të gjitha komunat e Kosovës.
Pas një sërë takimesh konstruktive me kryetarët dhe përfaqësuesit zyrtarë të këtyre komunave, Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), ka ndërmarrë veprime konkrete duke angazhuar zyrtarët e saj për të mbështetur nga afër procesin teknik në terren, përgatitjen e Sistemit dhe përgatitjen për fazën e emërtimit të rrugëve dhe vendosjen e adresave.
Për të lehtësuar këtë proces të ndjeshëm dhe me rëndësi të veçantë, AKK ka filluar gjithashtu bashkëpunimin aktiv me komisionet komunale, të cilat janë themeluar për të mbikëqyrur dhe koordinuar fazën e emërtimit të rrugëve.

Në këtë frymë të bashkëpunimit të ndërsjellë, Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, z. Avni Ahmeti, së bashku me ekipin e tij, ka realizuar vizita zyrtare në të katër komunat veriore, ku janë mbajtur takime të ndara me kryetarët e komunave përkatëse, bashkarisht me ekipet përgjegjëse.

Gjatë këtyre takimeve u nënshkruan Memorandumet e Bashkëpunimit, që njëherit shënojnë formalizimin e plotë të angazhimit të ndërsjellë për krijimin e Sistemit të Adresave në këto komuna.
Në krye të diskutimeve ishte njëashtu edhe projekti për rinovimin e Zyrave Kadastrale Komunale (ZKK), një tjetër hap ky i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të resurseve dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

Drejtori Avni Ahmeti vizitoi nga afër ZKK-të në secilën komunë, duke vlerësuar gjendjen aktuale dhe nevojat infrastrukturore, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për punë dhe ofrim të shërbimeve më moderne kadastrale.

Ky angazhim konkret tregon përkushtimin e palodhshëm të AKK-së për të garantuar që çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të ketë qasje në shërbimet kadastrale.