RajoniTop Lajme

Ministri Sveçla takohet me komandantin e KFOR-it, diskutohet situata e sigurisë në Kosovë

Shpërndaje

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar sot me komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Në një komunikatë zyrtare të publikuar nga NATO/KFOR, theksohet se diskutimet janë përqendruar në përpjekjet e përbashkëta për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Në njoftim, KFOR-i nuk ka bërë asnjë përmendje të funksionit politik të Sveçlës, duke iu referuar thjesht si “z. Xhelal Sveçla”.

“Sot, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, u takua me z. Xhelal Sveçla dhe z. Elbert Krasniqi në Prishtinë. Diskutimi u fokusua kryesisht në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në bashkëpunimin institucional,” thuhet në njoftim.

Gjeneral Barduani ka ripërsëritur angazhimin e misionit të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, duke përmendur mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX, në kuadër të roleve të tyre përkatëse si pjesë e zinxhirit të reagimit të sigurisë,” është theksuar më tej në komunikatë.

Takimi vjen në një kohë kur çështjet e sigurisë dhe tensionet e herëpashershme në veriun e Kosovës mbeten në fokusin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.