Fetai përkujton viktimat e gjenocidit të Srebrenicës: Drejtësia është kusht për paqe të qëndrueshme
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të mbajtur pranë Memorialit në Parkun e Çairit në Shkup.
Në këtë aktivitet solemn, Fetai ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe një numër i madh qytetarësh, deputetësh dhe të rinjsh, për të nderuar kujtimin e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë në korrik të vitit 1995. “Srebrenica është plagë që s’mbyllet kurrë. Në zemër të Evropës, u krye një nga krimet më makabre të shekullit, vetëm sepse viktimat ishin myslimanë”, shkroi Fetai në Facebook.
Duke bërë një paralele me historinë tragjike të shqiptarëve në Kosovë, ai përmendi vendet si Prekazi, Reçaku, Qyshku, Meja, Suhareka, Krusha, duke theksuar se “populli shqiptar e di mirë se çfarë do të thotë të të vrasin për identitetin tënd”.
Fetai theksoi se çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin duhet të dënohet pa mëdyshje, ndërsa drejtësia për viktimat mbetet jo vetëm një obligim moral, por edhe një kusht i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme në rajon.