Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Kırklarelit nga Turqia nënshkruan memorandum bashkëpunimi
Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit shkencor dhe kulturor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Kırklarelit nga Turqia, më 17 korrik 2025, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili synon krijimin e kushteve për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencore dhe kulturore mes dy universiteteve.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Rektorja e Universitetit të Kırklarelit, Prof. Dr. Rengin Ak.
Ky memorandum parasheh: shkëmbim të studentëve dhe stafit akademik; zhvillim të përbashkët të aktiviteteve shkencore; pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare; shkëmbim të informacionit teknik dhe shkencor si dhe krijim të ekipeve të përbashkëta kërkimore.
Palët kanë rënë dakord se çdo aktivitet do të rregullohet në marrëveshje të veçanta, duke respektuar parimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, pa imponuar obligime financiare për palën pritëse gjatë shkëmbimeve. Çdo universitet do të caktojë një koordinator për ndjekjen e aktiviteteve të përbashkëta brenda një muaji pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe nxitjes së shkëmbimeve akademike dhe kulturore në rajon dhe më gjerë.