MaqedoniTop Lajme

Nënkryetarja e LSDM-së, Kaja Shukova, do të jetë kandidate për kryetare e Qytetit të Shkupit

Shpërndaje

Nënkryetarja e LSDM-së, Kaja Shukova, do të jetë kandidate për kryetare e Qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Shukova është një prej 16 kandidatët për kryetarë komunash që i prezantoi mbrëmë LSDM. Shukova premton se do të jetë kryetare e të gjithë qytetarëve, pavarësisht cilën parti mbështesin. Premton se Shkupi në krye me të, do të jetë i pastër, i mirëmbajtur me gjelbërime dhe i sigurt.

“Për këtë, përcaktimet e mia do të jenë: Të pastrojmë Shkupin dhe t’i bëjmë ndërmarrjet funksionale për menaxhim me mbeturinat. Të bëjmë plan konkret dhe të arrijmë rezultate për ajër më të pastër dhe ambient të pastër jetësor. Këto janë prioritetet e mia të para, fusha ku kam shumë dije dhe përvojë. Të rinovojmë transportin publik dhe të krijojmë qytet ku mund të arrihet në kohë dhe pa nervoza. Të ndalojmë kaosin urbanistik dhe ta kthejmë kontrollin e qytetarëve mbi urbanizmin. Të përkushtohemi në rinovimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në qytet”, tha Kaja Shukova – Kandidate e LSDM-së për Qytetin e Shkupit.

Por nga VMRO-DPMNE thonë se me përzgjedhjen e Shukovës për kandidate, LSDM do të fundoset edhe më tepër dhe se Shukova në fakt do të jetë viktimë. Siç shtojnë nga kjo parti, të gjithë kandidatët e propozuar të LSDM-së, thjeshtë do të garojnë për të arritur deri te humbja.

“Shukova e cila nuk bëri asgjë për ambientin jetësor, për ajër më të pastër, për menaxhim me mbeturina e ngjashëm. Shukova e cila në mandatin e saj ministror nga shkurti 2023 vetëm dilte në opinion dhe sikur të ishte incizuar vetëm përsëriste se nevojitet shumë kohë për të zgjidhur çfarëdo problemi me ambientin jetësor. Nëse Shukova nuk bëri asgjë si ministre e ambientit jetësor, shtrohet pyetja çfarë mund të bëjë si kryetare e Shkupit”, tha Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE.

Për në Qytetin e Shkupit deri tani kandidatët i kanë publikuar vetëm LSDM dhe VMRO-DPMNE. Kjo e fundit ka vendosur që të garojë me Orce Georgievskin, kryetar aktual i Kisella Vodës./Alsat.mk