Kurti: Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter, sot ka gradën “Hero i Kosovës”
Në kuadër të shënimit të Ditës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Detyrë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe pranë varrit të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Gjatë homazheve, Kurti vlerësoi lart veprën dhe sakrificën e Afrim Bunjakut, duke theksuar se Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës.
“Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, tha Kurti.
Pas homazheve, ai së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Drejtori i Policisë u mirëpritën nga familja Bunjaku në shtëpinë e tyre.
Afrim Bunjaku ra dëshmor më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, gjatë një përballjeje me grupe të armatosura paramilitare dhe terroriste nga Serbia, duke mbrojtur sovranitetin, kushtetutshmërinë, sigurinë dhe paqen në vend.