Mickoski i ashpër me opozitën shqiptare, asnjë kandidat i Frontit Kombëtar nuk i pëlqen!
“Kjo qeveri dhe koalicioni qeveritar kanë fituar më shumë se 600 mijë vota dhe do të jenë fitues absolut në zgjedhje”. Kështu ka thënë kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për zgjedhjet dhe nëse, në rast se rezultati nuk do të jetë ai i dëshiruar, do të ketë ndryshime në koalicionin qeveritar, shkruan gazeta KOHA.
Për fushatën, ai tha se pret të fokusohet në projekte, por sipas tij, Bashkimi Demokratik për Integrim po zbaton politika që i kthejnë qytetarët 25-30 vite prapa. Mickoski duket i ashpër pasi nuk ka mundur të përzihet në përzgjedhjen edhe të kandidatëve të opozitës shqiptare.
“Fushata pres të jetë një fushatë që do të fokusohet në projekte, por është e qartë se ka një parti politike, para së gjithash mendoj për BDI-në, e cila në vend që të flasë për projekte dhe të ardhmen, na kthen 25-30 vite mbrapa dhe imponon tema të tilla. Dhe, së bashku me disa struktura nga opozita, përpiqet të krijojë një atmosferë në shoqëri që, kur të dalin në zgjedhje, qytetarët të kenë kujdes për kë votojnë, sepse duke imponuar tema nga 25-30 vite më parë, duan të vendosin një shenjë barazimi midis BDI-së dhe VLEN-it. Duke vënë një shenjë barazimi, ata thonë ‘edhe këta vjedhin, këta janë më pak nacionalistë’, duke menduar se kështu do të harrojmë gjithë atë plaçkitje që ka ndodhur dekadat e fundit. Sepse mendojnë që nëse qytetarët dalin dhe nuk votojnë për VLEN-in, atëherë ata do të jenë fitues absolut dhe do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa u shpreh kundër të gjithë kandidatëve të opozitës shqiptare në zgjedhjet lokale.
“Kandidatët që i ofron BDI janë ata që i kanë detyruar shqiptarët të shpërngulen nga Maqedonia, ndërsa ata që i ofron koalicioni qeveritar janë kuadro që duan të ndërtojnë së bashku të ardhmen. Në këto zgjedhje, qytetarët zgjedhin mes konceptit që për 20 vite e ka shkatërruar Maqedoninë dhe atyre që duan të ndërtojmë së bashku të ardhmen”, theksoi Mickoski. (koha.mk)