Fetai: Rrisim transparencën institucionale
Zv.kryeministri, Arben Fetai përmes rrjetit social ka njoftuar për disa vendime që janë sjellë në Qeveri me propozimin e tij.
Njoftimi i plotë:
Rrisim transparencën institucionale
Në seancën e sotme të Qeverisë, me propozimin tim, u miratuan vendime të rëndësishme për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore.
Sipas një vlerësimi të zbatimit të Strategjisë për Transparencë 2023-2026, të koordinuar nga kabineti im, rezulton se Qeveria e kaluar LSDM-BDI ka realizuar vetëm një aktivitet nga 24 masa dhe 56 aktivitete të parashikuara në planin e veprimit të strategjisë.
Me vendimet e sotme, Qeveria obligoi grupin e punës për zbatimin e Strategjisë për Transparencë 2023-2026 që, brenda 7 ditëve, të përgatisë ndryshime në planin aksional, duke përcaktuar afate të reja dhe institucionet përgjegjëse për realizimin e aktiviteteve.
Ndër masat e ndërmarra, veçojmë tri:
-Ministritë dhe organet e administratës shtetërore do të publikojnë, brenda 45 ditëve, të gjitha informacionet nga kërkesat e përgjigjura për qasje në informacione me karakter publik, të anonimizuara, duke filluar nga 24 qershori 2024.
-Organet e administratës shtetërore që nuk kanë ueb-faqe, do t’i krijojnë ato brenda 90 ditëve.
-Ministritë dhe organet e tjera shtetërore do të publikojnë në ueb-faqet e tyre procedurat e brendshme për prokurime publike.
Transparenca institucionale është prioritet kryesor i kësaj Qeverie. Do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë çështje me seriozitetin maksimal për të ndërtuar një administratë të hapur dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve.