RajoniTop Lajme

ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është detyrim ligjor

Shpërndaje

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një komunikate për media, sqaron se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016.

“Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në ligjet e sektorit të energjisë, ka transpozuar direktivat evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike. Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike buron nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë,” thuhet në komunikatë.

ZRRE thekson se që nga viti 2017 ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Në funksion të kësaj, në vitin 2017 ka filluar procesi i derregullimit dhe liberalizimit me daljen në treg të konsumatorëve industrialë.

Megjithatë, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, si pandemia COVID-19 dhe kriza energjetike ndërkombëtare, ky proces ka pësuar vonesa. Pas stabilizimit të situatës, ZRRE ka vendosur që nga 1 qershori 2025 të vazhdojë me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si një detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundorë.

ZRRE thekson se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me direktivat evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol.

Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë të licencuara 23 kompani për furnizim me energji elektrike, prej të cilave 7 janë aktive dhe kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.

Sipas të dhënave të ZRRE-së:

9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në tregun e hapur,

9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale,

751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.

ZRRE sqaron se edhe këto pika matëse që kanë mbetur pa furnizues janë furnizuar me energji elektrike që nga data 1 qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin një furnizues dhe të nënshkruajnë kontratë.

Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur, ZRRE, sipas dispozitave të Ligjit për Energjinë Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Konsumatorët që deri më 1 qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale janë furnizuar përmes FMF për një periudhë 60-ditore.

Gjithashtu, ZRRE njofton se, sipas ligjit, konsumatorët që dështojnë të lidhin kontratë me ndonjë furnizues të licencuar, do të përballen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike nga operatori i sistemit.

ZRRE do të vazhdojë të mbikëqyrë këtë proces dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për dalje në treg të hapur, e që ende nuk kanë nënshkruar kontratë, që sa më parë të zgjedhin furnizuesin e tyre për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe ligjor.

ZRRE mbetet e përkushtuar që të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane.