BotaTop Lajme

“Portat e Ferrit gati të hapen”, nis lufta për pushtimin e Gazës nga Izraeli, OKB në alarm

Shpërndaje

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kabineti i tij ka miratuar planet për një sulm të ri në qytetin e Gazës, i cili do të zhvendosë qindra mijëra njerëz. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se kjo ofensivë e re bëhet për të “mposhtur Hamasin në Gaza”.

Në planin e miratuar përfshihet pushtimi i Qytetit të Gazës. “Portat e ferrit së shpejti do të hapen për vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit në Gaza”, shkroi Katz në një postim në rrjetin social X. Ai shtoi më tej: “Ne do ta shkatërrojmë Qytetin e Gazës nëse Hamasi nuk pranon të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet”, shkruan A2 CNN.

OKB-ja ka thënë se sulmet intensifikuese dhe “bombardimet e pamëshirshme” në qytetin e Gazës po shkaktojnë “një numër të madh viktimash civile dhe shkatërrime në shkallë të gjerë”. Kjo vjen ndërsa Netanyahu tha se do të fillojë menjëherë bisedime për lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe përfundimin e luftës sipas kushteve të Izraelit, pasi Hamasi pranoi një propozim të ri për armëpushim nga ndërmjetësit. Ndërkohë, OKB konfirmoi se ka vdekje nga uria në Gaza dhe se kjo përbën një krim lufte.