Bota

Mbi 600 të vdekur nga tërmeti në Afganistan

Shpërndaje

Numri i të vdekurve nga tërmeti 6 ballë që goditi Afganistanin të dielën vonë, kur shumica e banorëve ishin në gjumë, është rritur në mbi 600, njoftuan zyrtarët dhe mediat lokale, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Mateen Qani tha se rreth 610 vdekje janë raportuar nga provinca Kunar ndërsa 12 persona u vranë në provincën fqinje Nangarhar, raportoi transmetuesi lokal “Tolo News”.

Më shumë se 1.550 persona, prej të cilëve 1.300 në Kunar, janë plagosur gjithashtu, shtoi ai.

Administrata ka vendosur helikopterë për të shpëtuar dhe transportuar me avionë të plagosurit, pasi rrugët janë bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut të cilat po i pengojnë ekipet e shpëtimit të arrijnë në disa zona të prekura, tha për Anadolu një zyrtar i Ministrisë së Informacionit.

Numri i të vdekurve mund të rritet pasi shumë njerëz dyshohet se janë bllokuar nën rrënoja, shtoi zyrtari.

Deri më tani, janë kryer 35 fluturime nga aeroporti i Nangarharit për në Kunar, duke transportuar 335 persona të plagosur në spitalin rajonal të Nangarharit. Gjithashtu vazhdojnë përpjekjet për të transferuar të mbeturit.

Vendasit e përshkruan atë si një nga tërmetet më të fuqishme që ka goditur vendin.

Studimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e regjistroi tërmetin në orën 23:47 sipas kohës lokale, 27 kilometra në lindje-verilindje të Jalalabadit në një thellësi prej 8 kilometrash.

Zyrtari tha se shifrat për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve nuk janë përfundimtare sepse zyrtarët ende po komunikojnë me banorët vendas në shumë zona të largëta dhe ekipet e ndihmës janë në rrugë e sipër.

Agjencia shtetërore e lajmeve Bhaktar raportoi se 2.000 persona janë plagosur.