Rama: Liqeni i Komanit e Lumi i Shalës, mikpritës të mijëra vizitorëve
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e së martës, 2 shtator, pamje nga Liqeni i Komanit dhe Lumi i Shalës, dy prej destinacioneve më të pëlqyera të turizmit malor në Shqipëri.
Pamjet pasqyrojnë madhështinë e maleve që rrethojnë liqenin, i cili shtrihet mes tyre dhe u mundëson vizitorëve të shumtë vendas e të huaj lundrimin gjatë gjithë vitit, i shoqëruar me pamje magjike. Ndërkohë, Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, është cilësuar nga mediet ndërkombëtare si “Tajlanda e Europës” për bukuritë e tij natyrore.
“Pamje nga Liqeni i Komanit e Lumi i Shalës, mikpritës të mijëra vizitorëve që shijojnë përvojat e turizmit malor”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Këto atraksione në veri të vendit ofrojnë për turistët eksperienca të shumta: eksplorim me varkë, ngjitje në majat përreth me panoramë mbresëlënëse, zhytje në ujërat e kristalta të Shalës, si dhe ushqime tradicionale në bujtinat e zonës.
Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona. Shtrihet në një sipërfaqe prej 34 kilometrash, nga fshati Koman gjatë gjithë rrugës deri në fshatin Fierzë. Ky liqen është shtëpia e 13 specieve të ndryshme të peshkut dhe amfibëve.
Liqeni i Komanit shtrihet mes maleve të qarkut të Shkodrës dhe Kukësit. Është e pabesueshme që një vend kaq i bukur është rezultat i një rezervuari të ndërtuar në 1978 pranë fshatit Koman.
Udhëtimi përgjatë liqenit nga Komani deri në Fierzë zgjat më pak se tri orë dhe konsiderohet si një nga përvojat më unike të udhëtimeve në Shqipëri. Udhëtimi me kanoe ofron panoramën më të mrekullueshme të kësaj natyre të paprekur që rrethon liqenin.
Lumi i Shalës buron në rrëzë të Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 kilometrash, nga maja e Radohinës deri në derdhjen e tij në Drin. Ai dallohet për ujin me ngjyrë të kaltër të thellë dhe të ftohtë, për shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë dhe për shumëllojshmërinë e peshqve që strehohen në të, ku më i përhapuri është trofta.
Ky kombinim i natyrës së paprekur dhe mikpritjes tradicionale ka bërë që çdo vit Lumi i Shalës dhe Liqeni i Komanit të tërheqin një numër gjithnjë e më të madh turistësh vendas dhe të huaj.