BDI: Izet, jep dorëheqje! Përballu me votën e lirë të Çairit
Në konferencën e sotme për shtyp të Bashkimit Demokratik për Integrim, të udhëhequr nga Imrane Veliu, u përcoll një mesazh i ashpër dhe i qartë ndaj kandidatit për kryetar të Çairit nga radhët e VLEN-it, Izet Mexhiti.
“Qytetarët dhe e gjithë opinioni publik po shohin një të vërtetë të dukshme, Izet Mexhiti ende nuk guxon të japë dorëheqje nga funksioni i zëvendëskryeministrit të Qeverisë dhe ministër i Ekologjisë. Ky qëndrim i tij është dëshmi e frikës nga disfata katastrofike që e pret më 19 tetor,” theksoi Veliu.
BDI sfidon hapur Mexhitin që të heqë dorë nga funksionet dhe të garojë në zgjedhje në mënyrë të barabartë, pa privilegje të pushtetit dhe pa keqpërdorim të resurseve shtetërore.
“Nëse është aq i sigurt për fitoren e tij, le t’u tregojë banorëve të Çairit se ka dinjitet dhe guxim. Por të gjithë e dimë, ai është i varur nga pushteti, e jo nga vullneti i lirë i qytetarëve,” tha Veliu.
BDI kujtoi se banorët e Çairit nuk i kanë harruar dy dekadat e premtimeve të parealizuara, infrastrukturën jofunksionale, degradimin e hapësirës urbane dhe mungesën e investimeve serioze.
“Çairi mbeti peng i interesave personale dhe klanore. Për dy dekada qytetarët u trajtuan vetëm si numra për vota, ndërsa komuna përjetoi stagnim,” theksohet në mesazh.
BDI është e bindur se më 19 tetor qytetarët do të dërgojnë një mesazh historik:
“Fund mashtrimeve, fund keqpërdorimeve, fund pushtetit të përjetshëm të Izet Mexhitit!”
“Çairi meriton një udhëheqje të re, një qasje vizionare, një administratë të ndershme dhe një komunë moderne në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të karrierës së një individi dhe rrethit të tij të ngushtë familjar,” tha Veliu.
Deklarata përfundon me një mesazh të fuqishëm dhe të qartë për opinionin:
“Mjaft më me Izet Mexhitin! Mjaft më me mashtrimet! Mjaft më me 20 vite të humbura!”