Rritet në 64.725 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Është rritur në 64.725 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet e Gazës janë sjellë 72 palestinezë të vrarë dhe 356 të tjerë të plagosur. Të paktën 12.170 palestinezë janë vrarë dhe 51.818 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Është rritur në 2.465 numri i personave të vrarë dhe në 17.948 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 64.718 ndërsa numri i të plagosurve në 163.859.
Thuhet se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja në Rripin e Gazës.
Numri i të vdekurve nga uria në Gaza është rritur në 411
Shtatë palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në Gaza në 24 orët e fundit.
Numri i të vdekurve nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 411, prej të cilëve 142 janë fëmijë.
Që nga 22 gushti kur Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) shpalli zi buke në qytetin e Gazës thuhet se nga uria dhe kequshqyerja kanë humbur jetën 133 persona, prej të cilëve 27 janë fëmijë.
IPC shpalli “situatën e urisë” në qytetin e Gazës dhe njoftoi se kjo mund të përhapet edhe në qytetet Deir Al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.