Emiratet e Bashkuara po e shqyrtojnë kërkesën e Katarit për mbylljen e ambasadës në Izrael pas sulmit izraelit në Doha
Raportohet se Emiratet e Bashkuara Arabe janë duke e shqyrtuar kërkesën e Katarit për mbylljen e ambasadës së tyre në Tel Aviv si pjesë e disa masave të kundërpërgjigjes ndaj sulmit izraelit në Doha.
Gazeta “Haaretz”, duke cituar burime të paidentifikuara diplomatike në vendet e Gjirit Persik, thotë se Abu Dabi e ka pranuar me kujdes të shtuar kërkesën nga Katari, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Ndërkohë, televizioni publik izraelit, “Kan TV”, raporton se vendet e Gjirit Persik do t’i rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Izraelin gjatë një samiti urgjent të vendeve arabe e islame të dielën në Doha, i cili është thirrur për ta diskutuar sulmin izraelit.
Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë ftuar në takim ambasadorin e Izraelit në Abu Dabi, Yossi Shelley, për shkak të sulmit izraelit ndaj krerëve të Hamasit në Katar, raportojnë mediat izraelite, në një shenjë tjetër të tensioneve mes dy vendeve që para disa vjetëve vendosën marrëdhënie diplomatike.
Edhe para sulmit izraelit të së martës në kryeqytetin e Katarit, Doha, marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara nuk kanë qenë të lehta për shkak të aneksimit të mundshëm izraelit të Bregut Perëndimor, për të cilin Abu Dabi ka thënë se do të përbënte “vijë të kuqe”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Përpjekja e Izraelit për të vrarë udhëheqës politikë të Hamasit ka nxitur kritika nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Emiratet e Bashkuara. Të mëkurën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e paralajmëroi Katarin që t’i dëbojë zyrtarët e Hamasit ose “t’i sjellë para drejtësisë, sepse, nëse ju nuk e bëni këtë, do ta bëjmë ne”.
Emiratet e Bashkuara, të cilat i normalizuan marrëdhëniet me Izraelin përmes Akordeve të Abrahamit të vitit 2020, i quajtën “armiqësore” komentet e Netanyahut, përderisa presidenti Mohammed bin Zayed al-Nahyan i vizitoi vendet arabe të Gjirit Persik me qëllim të bashkërendimit të pozicioneve ndaj sulmit izraelit.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ministrisë e jashtme të Izraelit ose Emirateve të Bashkuara rreth këtij raporti.