RajoniTop Lajme

Rama: Lirimi i hapësirave publike vijon pa ndërprerje edhe gjatë fundjavës

Shpërndaje

Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, të cilat kanë zaptuar trotuare dhe ambiente të përbashkëta të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga terreni, ku po punohet për çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike. Ai theksoi se puna për kthimin e hapësirave në shërbim të komunitetit vijon pa ndërprerje, edhe në fundjavë, shkruan ATSH.

“Ecim, pa të shtunë e pa të dielë”, shkroi Rama në rrjete sociale, duke nënvizuar angazhimin e pandalur të strukturave shtetërore.

Kjo nisëm kombëtare, e cila ka nisur në muajin korrik 2025, synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane, të rrisë funksionalitetin e bizneseve dhe të garantojë respektimin e standardeve të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet e fshat të vendit.

Nisma do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për t’u siguruar që hapësirat publike i përkasin qytetarëve.

Kryeministri ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket. Kjo nisëm është pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Portali “Hapësiraimepublike.gov.al” vjen në kuadër të këtij vizioni të qeverisë, dhe është një instrument në ndihmë të qytetarëve, ku mund të raportojnë rastet cënimit të hapësirave publike në kundërshtim me ligjin. Dhe, në një muaj nga lançimi i portalit janë 10,395 të raportuara, nga të cilat janë zgjidhur 7,153 raste, ndërsa 3,242 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset. Sipas tij, “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.

Po ashtu, Rama ka bërë të ditur se do të ashpërsohen dënimet penale dhe administrative për shkeljet që lidhen me hapësirat publike.