Ish-shefi i diplomacisë së Portugalisë, Cravinho: “Çairi ka një shans shumë të madh me Bujarin si kryetar”
Ish-ministri i Jashtëm i Portugalisë, João Gomes Cravinho, me një video-mesazh shprehu mbështetje të fortë për kandidaturën e Bujar Osmanit për kryetar të komunës së Çairit.
“Është një kënaqësi e madhe të mbështes kandidaturën e Bujar Osmanit për komunën e Çairit. E kam njohur Bujarin si ministër të Jashtëm dhe mbeta jashtëzakonisht i impresionuar,” deklaroi Cravinho.
Cravinho, i cili ka qenë shef i diplomacisë portugeze dhe është një diplomat me renome ndërkombëtare, theksoi rolin e Osmanit si kryesues i OSBE-së dhe lidershipin e tij në çështjet evropiane:
“Në kryesimin e tij me OSBE-në, në lidershipin e tij në çështjet evropiane, në mençurinë e zërit të tij – të gjitha këto tregojnë se Çairi ka një shans shumë të madh nëse Bujari bëhet kryetar.”
Në mesazh, ai nënvizoi se me Bujar Osmanin në krye të Çairit, komuna do të fitojë një njeri që mund të hapë dyert që janë të rëndësishme për bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërkombëtar.
“Besoj se me Bujarin do të jetë shumë më e lehtë të hapen të gjitha dyert ndërkombëtare që duhet të hapen. Me Bujarin, e ardhmja e Çairit është një e ardhme e buzëqeshur,” theksoi Cravinho.