RajoniTop Lajme

Rama takon Rutte-n: Po rilindim industrinë ushtarake, prioritet porti në Porto Romano

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe aleancës transatlantike.

Ky takim vjen në një moment kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe fokusi i diskutimeve u vu dhe tek roli i Shqipërisë në misionet e NATO-s. Të dy liderët theksuan angazhimin e përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe NATO-s.

Në një deklaratë të përbashkët për mediet, Rama u shpreh se takimi me Rutte është gjithmonë kënaqësi jo vetëm falë miqësisë së gjatë, por edhe për shkak të një fakti të thjesht, që ka gjithmonë diçka për të mësuar prej tij.

Ndërkohë që sekretari Rutte vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Aleancë, Rama theksoi se “jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që ju thatë, por dhe më shumë duam të bëjmë”.

“Tashmë po nisim rilindjen e industrisë sonë ushtarake. Jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri në Porto Romano”, u shpreh Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “jemi këtu për të folur së bashku për mënyrat me të cilat mund të qasemi në programin ‘Safe’ të BE-së, i cili sa i takon sigurisë shkon përtej perimetrit të vendeve të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm edhe për vendet e NATO-s në Europë”.

“Jemi këtu që të bëjmë më të mirën për gjithçka”, theksoi Rama.

Ky është takimi i tretë për këtë vit i kryeministrit Rama me kreun e NATO-s, Mark Rutte.

Në 24 qershor, Rama takoi kreun e NATO-s në Bruksel, në samitin e nivelit të lartë të Aleancës.

Sekretari i përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte vizitoi Tiranën në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian të zhvilluar më 16 maj.