MaqedoniTop Lajme

Udhëheqësia e Universitetit të Tetovës priti në takim përfaqësues të Universitetit të Illinois-it Verior nga SHBA

Shpërndaje

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, profesoreshat e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi dhe Prof.
Dr. Arbresha Zenku-Dalipi, si dhe Përgjegjësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, i pritën në takim Dekanen e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Illinois-it Verior, Dr. Mary Earick, profesoreshat nga Departamenti i Këshillimit dhe Arsimit të Lartë, Dr. Yenitza Guzman dhe Dr. Dana Isawi, Dr. Eric Junco, profesor i Kurrikulave dhe Mësimdhënies / Drejtor për Zhvillimin dhe Angazhimin Akademik, si dhe studentet e diplomuara në Departamentin e Këshillimit dhe Arsimit të Lartë, Kristin Lee dhe Makbule Irem Pilgir.

Ky takim u realizua në kuadër të aktiviteteve që Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës do t’i zhvillojë në bashkëpunim me Kolegjin e Edukimit të Universitetit të Illinois-it Verior në ditët në vijim. Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe përvoja në fushën e arsimit, kurrikulave bashkëkohore dhe qasjeve të reja në mësimdhënie, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Drejtuesit e Universitetit shprehën gatishmërinë e tyre për të forcuar bashkëpunimin me institucione prestigjioze ndërkombëtare, si Universiteti i Illinois-it Verior, në mënyrë që studentët dhe stafi akademik të kenë qasje dhe mundësi të reja studimore e profesionale.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Universitetit të Illinois-it Verior theksuan se janë të kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm me Universitetin e Tetovës, duke shpresuar se me aktivitetet që do të zhvillohen në vijim ky bashkëpunim do të thellohet akoma më shumë në të gjitha dimensionet. Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni nga SHBA, së bashku me stafin e Fakultetit Pedagogjik, do të realizojë një sërë aktivitetesh, duke filluar nga vizitat në disa vende historike dhe shkolla të mesme, realizimi i punëtorive, ligjëratave, filmave, debateve dhe shumë aktiviteteve të tjera.