Osmani: Këto janë hapat konkrete në 60 ditët e para të mandatit si kryetar i Çairit
Sot dua qartë dhe saktë t’i paraqes hapat konkretë që do t’i ndërmarrim në 60 ditët e para të mandatit tim si kryetar i Komunës së Çairit. Ky është plan për sot dhe menjëherë, sepse Çairi nuk ka kohë për të humbur. Në 60 ditët e para do t’i adresojmë problemet më të dhimbshme dhe do të tregojmë se Çairi ka kapacitet dhe mund të jetë shumë më i mirë nëse udhëhiqet si duhet. Kështu ka thënë sot para mediave kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim në Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ndërsa ka përmendur se problemi i parë dhe më i dukshëm në Çair – është higjiena dhe, ka shtuar ai, pikërisht këtu do të bëjmë kthesën e parë të madhe.
Përveç kësaj, Osmani ka thënë se në 60 ditët e para do të rinovojmë të gjithë sinjalizimin vertikal dhe horizontal nëpër rrugët e Çairit, për të rritur sigurinë e shoferëve dhe këmbësorëve dhe për të vendosur rregull të vërtetë në komunikacion.
“Të gjithë e dimë se Çairi është simbol i kaosit urbanistik dhe ndërtimeve pa leje. Kjo duhet të ndalet menjëherë. Në 60 ditët e para: Do të krijohet Ekipi Koordinues i Inspektoratit (ndërtimor, komunal dhe urbanistik), i cili do të bëjë një auditim të të gjitha kantierëve aktive, të gjitha lejeve në proces dhe çdo procedure në sektorin e urbanizmit. Nuk do të lejojmë asnjë pëllëmbë të ndërtohet jashtë standardeve dhe ligjeve. Të gjithë ata që ndërtojnë në përputhje me ligjin nuk duhet të shqetësohen, por mafia e ndërtimeve pa leje që ka zënë rrënjë të thella dhe po e shkatërron komunën do të çrrënjoset”.
Në fund, shtoi Osmani, në 60 ditët e para do të bëjmë një auditim të plotë financiar të punës së komunës. “Sipas informatave, Çairi është komuna më e korruptuar dhe financiarisht joefikase. Me një auditim të jashtëm dhe të pavarur do të kontrollojmë të gjitha transaksionet, me qëllim eliminimin e shpenzimeve joproduktive, lokalizimin e abuzimeve financiare dhe ridrejtimin e mjeteve tek qytetarët. Komuna ka mjete të mjaftueshme për nevojat themelore, por është e qartë se ato shpenzohen në mënyrë të keqmenaxhuar dhe korruptive. Këtë do ta ndryshojmë brenda 60 ditësh. 60 ditët e para nuk do të jenë vazhdim i kaosit, por 60 ditët e para të rregullit, punës dhe shpresës. Nuk do të premtojmë mrekulli. Do të tregojmë punë. Do të fillojmë thjesht, por vendosmërisht. Çairi do të bëhet vend ku qytetarët përsëri do të besojnë se komuna ekziston për ta”.