Arben Fetai: Sot bëhen patriotë, dje financonin manastire me paratë e shqiptarëve
Zv.kryeministri Arben Fetai ka reaguar ndaj deklaratave të Erkan Arifit, duke e cilësuar “patriotizmin” e tij të vonuar si hipokrizi politike. Fetai kujtoi se gjatë kohës sa BDI ishte në pushtet, shokët e Arifit ndanin miliona nga buxheti për restaurimin e manastirit të Mateçit dhe vizitonin manastire krah Aleksandër Vuçiçit, ndërkohë që banorët e Likovës përballeshin me ujë të helmuar, mungesë rrugësh dhe kushte minimale jetese. Sipas tij, sot, nga opozita, ata përpiqen të shiten si mbrojtës të shqiptarëve vetëm sepse pushteti dhe privilegjet u kanë ikur nga duart.
Reagimi i plotë:
Kur ishin në pushtet, shokët e Erkan Arifit dhe ministrat e BDI-së ndanin fonde buxhetore për manastirin e Mateçit, ndërsa në kuadër të Ballkanit të Hapur e shisnin shqiptarinë. Në vitin 2020, BDI dha 300 mijë denarë nga paratë tona për restaurim të këtij manastiri; 1 milion më 2021; dhe 1.5 milion më 2023.
Pra, sa ishin në pushtet, as kisha, as festat fetare të mbajtura çdo vit në të njëjtin vend – madje edhe menjëherë pas luftës – nuk u pengonin. Përkundrazi, ata i financonin nga buxheti, ndërsa vizitonin manastire të tjera krah Vuçiçit, duke bërë thirrje për pajtim shqiptaro-serb kur nënat kosovare ende i kërkojnë bijtë e tyre të masakruar nga Serbia.
Por, kur BDI-ja mbështeste manifestimet fetare në Mateç, Erkan Arifi heshtte. Kur banorët e Likovës pinin ujë të helmur me arsen, Erkan Arifi nuk shqetësohej. Kur bërllogu i komunës u zbrazej te pragu i derës banorëve të Nikushtakut, ai sërish nuk shqetësohej. Kur mungonin rrugët, uji i pijshëm dhe kopshtet për fëmijë, ai prapë se prapë heshtte.
Tani, papritmas, nga opozita, na zgjohet si “patriot i madh” dhe shpallet mbrojtës i shqiptarëve.
Çfarë ka ndryshuar? Vetëm një gjë: pushteti dhe privilegjet u kanë ikur nga duart në nivel qendror dhe po u ikin edhe në komuna.
Likova e di mirë kush e ka helmuar, kush e ka poshtëruar dhe kush e ka shfrytëzuar për tenderë e pasuri personale. Shqiptarët e kuptojnë se hipokrizia e BDI-së nuk është patriotizëm, por demagogji dhe panik i një organizate kriminale që shet çdo gjë për pushtet.