Ideatori i llogos së UÇK-së, i ashpër ndaj hoxhës që mori pjesë në paradën ushtarake në Serbi
Dizajneri i llogos së UÇK-së, Adnan Asllani u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të distancohen nga hoxha Nexhmedin Saqipi, pasi u pa në paradën ushtarake të Serbisë që u mbajtë të shtunën në Serbi, pikërisht në kohën kur Vuçiq po përballet me protesta antiqeveritare.
Asllani thotë se është çudit me praninë hoxhës nga Tërnoci i Madh i Bujanocit, i cili është edhe kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të distancohen nga hoxha Nexhmedin Saqipi! Parada ushtarake e Serbisë, që u zhvillua më 20 shtator 2025, paraqet një kërcënim të hapur për rajonin në përgjithësi, dhe për Kosovën në veçanti. Mbishkrimet me parullën “Kad se vojska na Kosovo vrati” (“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”) shoqërohen me demonstrimin e forcës ushtarake, ku arsenali i armatimit përcjell vendosmërinë e këtij shteti të vazhdojë me logjikën gjenocidale që ka zbatuar gjatë një shekulli e gjysmë. Kur shohim se kush është në krye të institucioneve politike, ushtarake dhe të aparateve të tjera të dhunës në Serbi, nuk habitem për vazhdimësinë e politikës luftënxitëse të këtij shteti. Por ajo që më çuditi në këtë rast, ishte prania në këtë paradë e Nexhmedin Saqipit, hoxhës nga Tërnoci i Madh i Bujanocit i cili është Kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi. Ky hoxhë ka harruar krimet e vazhdueshme që kanë përjetuar dhe përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës nga politika luftënxitëse e Serbisë”, ka shkruar Asllani.
Ai madje ia ka kujtuar hoxhës masakrat që Serbia kreu në Kosovë më 1998-1999.
“Ky hoxhë, ka harruar se vetëm gjatë zbatimit të planit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë më 1998-1999, ushtria serbe ka vrarë e masakruar mbi 10’000 civilë shqiptarë; mbi 20’000 femra e meshkuj ka përdhunuar seksualisht; ka shkatërruar objektet e banimit e të trashëgimisë kulturore që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar dhe ka dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova. Në të njëjtën kohë, ka rrëmbyer e zhdukur me forcë shqiptarët nga Kosova duke i fshehur në varreza masive në Serbi e Kosovë, duke i djegur e hedhur në lumenj kufomat e shqiptarëve nga Kosova. Edhe sot nuk dihet asgjë për fatin e 1584 shqiptarëve të zhdukur nga ushtria serbe. Është e njëjta ushtri që ka vrarë, masakruar e përdhunuar mijëra Muslimanë e kroatë në Bosnjë dhe Kroaci. Ka djegur e shkatërruar në të gjitha hapësirat e Kroacisë, Bosnjës e Kosovës… Dhe pas gjithë këtyre tmerreve që ka shkaktuar ajo ushtri, gjendet një “hoxhë shqiptar”, që rreshtohet në krahun e kokës politike dhe ushtarake gjenocidale serbe për të duartrokitur gatishmërinë e këtij shteti për krimet e radhës që ka planifikuar”, thuhet tutje në shkrimin e Asllanit.