MaqedoniTop Lajme

Fetai: “Zelli i të konvertuarit – arma më e ulët e politikës”

Shpërndaje

Zv.kryeministri Arben Fetai shkruan se nuk ka asgjë më të shpifur se zelli i të konvertuarit. Sipas tij, tradhtari që braktis shtëpinë e vet dhe kalon në anën e kundërshtarit, shpesh shndërrohet në mbrojtësin më të flaktë të padronit të ri, duke marrë mbi vete çdo gjynah të tij dhe duke u bërë armiku më i egër i ish-shokëve. Ky fanatizëm i sforcuar nuk është shenjë besnikërie, por maskë e një torture të brendshme, që fsheh humbjen e identitetit dhe krizën morale të individit.

Postimi nga FETAI:

Nuk ka asgjë më të shpifur se zelli i të konvertuarit.
Kur tradhtari braktis shtëpinë e tij dhe kalon te kundërshtari, rëndom ai shndërrohet në mbështetësin më të flaktë të padronit të ri, duke marrë mbi vete çdo gjynah të tij dhe duke u bërë armiku më i egër i ish-shokëve.
Ky fenomen, i njohur si zelli i të konvertuarit, është një përkushtim fanatik, por fals, ndaj ideologjisë së re, që shpesh tejkalon edhe atë të vetë pronarëve të asaj.
I nxitur nga pasiguria dhe konflikti i brendshëm, ky zell shërben si mburojë psikologjike për të fshehur torturën e humbjes së identitetit.
I konvertuari përjeton disonancë kognitive, një tension mendor që lind nga kontradiktat mes bindjeve dhe veprimeve të tij. Për të lehtësuar këtë siklet, ai e dëshmon lojalitetin e ri deri në ekstrem, duke u përpjekur t’i dëshmojë padronit të ri se tradhtia ishte iluminim e jo ligësi, parim e jo llogari personale.
Këto veprime janë rituale vetë-ndëshkuese, një përpjekje për të shlyer të kaluarën dhe për të mbytur zërin e brendshëm të ndërgjegjes.
Fanatizmi i të konvertuarit nuk është thjesht ligësi, por shprehje e torturës së brendshme që mundon këta shpirtra të trazuar. Të tillë individë meritojnë vetëm mëshirë dhe keqardhje.