Mexhiti: Nuk do të hapet gurore në Straçincë – vendimi negativ nga Ministria e Mjedisit
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mbrëmë vizitoi fshatin Straçincë të Shkupit, ku u takua me banorët e këtij vendbanimi, të cilët po protestojnë kundër fillimit të punës së një guroreje në afërsi të tyre.
Mexhiti, sipas informacioneve nga kabineti i tij, i informoi banorët se ministria që ai drejton ka marrë një vendim negativ për kërkesën për hapjen e gurores në rajonin e Straçincës.
Ky vendim, siç deklaroi Mexhiti, është rezultat i shqetësimit të vazhdueshëm të banorëve dhe analizave të kryera nga institucionet kompetente për ndikimin negativ që do të kishte një aktivitet i tillë, veçanërisht në kushte përmbytjesh, por edhe mbi shëndetin dhe jetën e banorëve.
“Kjo është një lajm i shumëpritur për banorët e Straçincës, të cilët prej vitesh janë të shqetësuar për pasojat e mundshme të gurores mbi mjedisin jetësor dhe jetët e tyre”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se leja për punë ishte dhënë disa vite më parë nga qeveritë e mëparshme.
Hapi i radhës, sipas tij, është anulimi përfundimtar i koncesionit, çështje kjo që pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Ky vendim do ta mbyllë zyrtarisht këtë çështje dhe do ta rikthejë drejtësinë në anën e banorëve.
Për më tepër, Mexhiti theksoi angazhimin për pyllëzimin e përsëritur të këtij rajoni.