Arben Fetai: Dibra prej 24 vitesh është kryeqendra e teatrit shqip!
Zv.kryeministri Arben Fetai mori pjesë në hapjen e edicionit të 24-të të Festivalit të Teatrit Shqiptar në Dibër, duke e cilësuar këtë ngjarje si një ndër më të rëndësishmet në kalendarin kulturor të vendit. Ai vlerësoi përkushtimin e organizatorëve dhe theksoi se festivali është dëshmi se arti dhe kultura mbeten ura të forta që lidhin breza dhe forcojnë identitetin kombëtar.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi e veçantë të jem në Dibër për të hapur edicionin e 24-të të Festivalit të Teatrit Shqiptar në Maqedoni. Ky festival nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një histori e gjatë që prej 24 vitesh i jep jetë skenës dhe dramës shqipe.
24 vite festival janë 24 vite jetë, 24 vite përkushtim, 24 vite punë të palodhur për ta mbajtur gjallë dhe për ta kthyer në traditë këtë ngjarje madhore kulturore të Dibrës. Për këtë meriton mirënjohje të veçantë drejtori i festivalit, Ylber Nuredini, dhe i gjithë stafi organizativ që çdo vit e bëjnë realitet këtë aktivitet për më shumë se 2 Dekada.
Ky festival është dëshmi se arti dhe kultura janë ura të fuqishme që lidhin breza, forcojnë identitetin tonë.
Si Qeveri, do të jemi gjithmonë mbështetës dhe përkrahës të artit, kulturës dhe veçanërisht festivaleve. Pas Festivalit të Çernodrinskit, ky festival radhitet si ngjarja më e madhe kulturore në vend, duke e bërë edhe më të çmuar rolin e tij në kulturen tonë të përgjithshme e kombëtare.
Ju uroj suksese trupave teatrore që do të ngjiten në skenë gjatë këtyre tetë ditëve dhe mbarësi Festivalit!