Nga SHBA, Netanyahu i kërkon falje Katarit për sulmin në Doha
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i kërkoi falje sot homologut të tij nga Katari për sulmin e Izraelit në Doha – gjatë një telefonate nga Shtëpia e Bardhë, sipas “Reuters”.
Biseda telefonike me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, erdhi ndërsa Netanyahu u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Trump sot në Uashington.
Një ekip teknik i Katarit ndodhet gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjate bisedës me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani – i kërkoi falje për sulmin ajror të fundit të Izraelit – që synonte zyrtarët e Hamasit në Doha.
Netanyahu shprehu keqardhje për sulmin ajror të 9 shtatorit – që shkeli sovranitetin e Katarit dhe për vrasjen e një roje sigurie të Katarit.
Vendimi i Izraelit për të kërkuar falje për sulmin – ishte një kusht thelbësor i Katarit për të vazhduar rolin e tij si ndërmjetës në negociatat e armëpushimit në Gaza.
Netanyahu mbërriti sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Trump, të cilat pritet të fokusohen kryesisht në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Trump ka mirëpritur progresin drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh – që nga takimi javën e kaluar me udhëheqësit e vendeve myslimane në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Trump njoftoi një plan me 21 pika – për t’i dhënë fund luftës – gjatë takimit të së martës së kaluar.