MaqedoniTop Lajme

Rektori i Universitetit të Tetovës mori pjesë në përvjetorin e Bashkimit të Gjermanisë

Shpërndaje

Me ftesë të Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Petra Drexler, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, diplomatë, si dhe personalitete nga fusha e kulturës, arsimit dhe shoqërisë civile.

Pjesëmarrja e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në këtë pritje zyrtare është dëshmi e marrëdhënieve të frytshme dhe bashkëpunimit që Universiteti i Tetovës ka ndërtuar me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë. Ky bashkëpunim realizohet përmes projekteve të përbashkëta shkencore, shkëmbimeve akademike dhe nismave që synojnë rritjen e cilësisë në arsim dhe shkencë.

Me këtë rast, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se orientimi strategjik i Universitetit të Tetovës mbetet fuqizimi i proceseve të ndërkombëtarizimit, duke synuar krijimin e mundësive të reja për studentët, pedagogët dhe hulumtuesit, si në rajon, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ai vlerësoi lart rolin e Ambasadës Gjermane në mbështetjen e nismave universitare, duke e cilësuar këtë partneritet si një urë që forcon lidhjet mes dy vendeve dhe kontribuon në avancimin e arsimit, shkencës dhe forcimin e dialogut mes popujve.