Turqia: Forcat e Armatosura Turke, të gatshme për çdo detyrë që do t‘u caktohet në Task-Forcën për Gazën
Burime nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë deklaruan në lidhje me Task-Forcën për Gazën se “Forcat tona të Armatosura Turke, me përvojë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes, janë të gatshme për çdo detyrë që do t‘u caktohet”, transmeton Anadolu.
Burimet e ministrisë u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës javore për shtyp.
Lidhur me pyetjen nëse Forcat e Armatosura Turke do të përfshihen apo jo në Task-Forcën për Gazën, burimet u shprehën: “Forcat e Armatosura Turke kanë shërbyer në misione të shumta të krijuara nga organizata të ndryshme në gjeografi të ndryshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe kanë fituar admirimin e të gjitha palëve me profesionalizmin dhe drejtësinë e tyre. Forcat tona të Armatosura Turke, me përvojë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes, janë të gatshme për çdo detyrë që do t‘u caktohet”.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me statusin e fundit të prokurimit të Eurofighter, burimet e ministrisë deklaruan:
“Ne po vazhdojmë punën tonë në konfigurime të ndryshme për të shtuar në inventar avionë luftarakë modernë dhe me teknologji të përparuar dhe për të diversifikuar inventarin derisa avioni ynë kombëtar, KAAN, të hyjë në shërbim për të përmbushur nevojat operacionale të Komandës sonë të Forcave Ajrore. Asgjë nuk është finalizuar ende në lidhje me prokurimin e Eurofighter. Kontrata do t’i shpallet publikut kur të arrijë në fazën e miratimit. Duhet të rikujtojmë edhe një herë se deklaratat e bëra jashtë burimeve zyrtare nuk duhet të merren në konsideratë”.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri, burimet theksuan se i shikojnë zgjedhjet e mbajtura në Siri si një hap të rëndësishëm dhe pozitiv për strukturën unitare të vendit, sigurinë, stabilitetin dhe paqen rajonale.
“Organizata terroriste SDF, e cila sulmoi forcat qeveritare siriane në Manbij dhe në fshatrat e Halepit ka demonstruar edhe një herë se nuk vepron në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë siriane më 10 mars 2025 dhe përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal. Për më tepër, kontaktet dhe takimet midis qeverisë siriane dhe organizatës terroriste SDF po monitorohen me kujdes dhe ndjeshmëri. Turqia nuk është e përqendruar në bisedimet dhe takimet, por në reflektimin në terren të marrëveshjes së nënshkruar dhe vazhdon të mbështesë parimin ‘një shtet, një ushtri’ të Sirisë.”