BotaTop Lajme

BE-ja mbështet planin e armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA, Katari, Egjipti dhe Turqia

Shpërndaje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shprehu sot mbështetjen e plotë të BE-së për planin e armëpushimit në Rripin e Gazës, “të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Katari, Egjipti dhe Turqia”, transmeton Anadolu.

“Evropa mbështet plotësisht planin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Katari, Egjipti dhe Turqia. Finalizimi i marrëveshjes që i jep fund luftës do të jetë sot në Sharm el-Sheikh një moment historik”, tha Von der Leyen përmes kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Ajo theksoi se ata “janë të gatshëm të kontribuojnë” në suksesin e planit me të gjitha mjetet në dispozicion të tyre, në veçanti, “duke ofruar mbështetje për qeverisjen dhe për reformën e Autoritetit Palestinez”.

“Ne do të jemi forcë aktive brenda Grupit të Donatorëve Palestinezë. Dhe do të ofrojmë fonde nga BE-ja për rindërtimin e Rripit të Gazës”, shtoi Von der Leyen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të mërkurën se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas ranë dakord për fazën e parë të planit të tij prej 20 pikash që synon zbatimin e një armëpushimi në Gaza. Plani përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës. Faza e parë hyri në fuqi të premten.

Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një organi të ri qeverisës në Gaza, duke përjashtuar Hamasin, vendosjen e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 67.800 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën kryesisht të pabanueshme.