Erdoğan shënon 80-vjetorin e OKB-së, kërkon reformimin e Këshillit të Sigurimit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka shënuar Ditën e OKB-së dhe 80 vjetorin e themelimit të OKB-së, duke bërë thirrje për reforma për ta bërë organizatën më efektive dhe më të përgjegjshme ndaj sfidave globale.
Në një deklaratë, Erdoğan uroi OKB-në për përvjetorin e saj, duke theksuar se organizata, që u krijua pas dy luftërave botërore për ta promovuar paqen dhe bashkëpunimin, është përballur dhe ka kapërcyer sprova të mëdha gjatë tetë dekadave të fundit.
“Teksa bota përballet me luftëra, kriza humanitare, uri, varfëri, islamofobi, terrorizëm dhe ndryshime klimatike, përgjegjësitë historike të OKB-së vazhdojnë të rriten. Përmbushja e këtyre detyrave kërkon një angazhim më të fortë ndaj parimeve të saj themeluese”, tha Erdoğan.
Ai tha se reformimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është “kritik” për të siguruar se ai pasqyron “pritjet e drejta të të gjithë njerëzimit”.
Presidenti turk kritikoi mënyrën se si këshilli e trajtoi luftën në Gaza, duke theksuar se organizata dështoi të veprojë derisa dhjetëra mijëra palestinezë u vranë dhe Gaza mbeti në rrënoja.
Duke përsëritur thirrjen e tij për reformimin e OKB-së “Bota është më e madhe se pesë”, Erdoğan shprehu mbështetje për Iniciativën OKB-80 të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e cila synon të forcojë organizatën për të ardhmen.
Ai gjithashtu tha se Türkiye synon ta bëjë Istanbulin një qendër të OKB-së, duke përmendur qasjen e saj globale, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe pozicionin që lidh kontinentet dhe qytetërimet.
“Türkiye do të vazhdojë të punojë për paqe, stabilitet dhe siguri, së pari në rajonin tonë dhe pastaj në të gjithë botën”, tha Erdoğan, duke shtuar se shpreson që OKB-ja të mund të bëhet përsëri “një burim shprese për njerëzimin”.

