BotaTop Lajme

Presidenti Erdogan pret me ceremoni zyrtare kryeministrin britanik Starmer

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti me një ceremoni zyrtare kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer i cili ndodhet për vizitë në Turqi, raporton Anadolu.

Automjeti zyrtar i Starmerit u prit në bulevardin përpara kompleksit presidencial në Ankara nga kalorësit të cilët e shoqëruan automjetin deri në derën e protokollit.

Presidenti Erdogan e priti kryeministrin britanik në derën e hyrjes kryesore të kompleksit presidencial. Pas pozicionimit të presidentit Erdogan dhe kryeministrit Starmer në foltoren ceremoniale, u intonuan himnet kombëtare të të dy vendeve.

Në ceremoni ishin të pranishëm flamuj dhe ushtarë që përfaqësojnë themelimin e 16 shteteve turke të formuara në histori ndërsa u bënë 21 të shtëna me top.

Kryeministri Starmer përshëndeti trupën ceremoniale me shprehjen “Merhaba asker” (Përshëndetje ushtar).

Erdogan dhe Starmer i prezantuan njëri-tjetrit delegacionet dhe më pas pozuan për gazetarët para flamujve të dy vendeve. Erdogan dhe Starmer, të cilët vazhduan në një takim dypalësh, pas një darke pune midis delegacioneve do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe do të mbajnë konferencë të përbashkët për mediat.

Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Hakki Susmaz, Ambasadori turk në Londër Osman Koray Ertas, drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Burhanettin Duran dhe këshilltari kryesor i Presidencës për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çagatay Kiliç.