MaqedoniTop Lajme

Arben Fetai: “Vendimi më i lehtë dhe më i drejtë në jetën time politike ishte dita kur i thashë Arben Taravarit: ‘Pa mua, pa neve’”

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar si “vendimin më të lehtë dhe më të drejtë në jetën e tij politike” momentin kur i tha Arben Taravarit: “Pa mua, pa neve”, njofton albazone media.

Në postimin e tij, Fetai shprehet se ndarja ishte e domosdoshme, pasi “ishte gabim në parime, qasje, logjikë dhe përllogaritje”. Ai akuzon Taravarin për humbje politike dhe për vendime të gabuara që, sipas tij, e çuan Aleancën për Shqiptarët drejt “zerimit”.

Fetai thekson se Taravari “u strehua te Ali Ahmeti, të cilin e kishte kritikuar më parë”, ndërsa bashkëpunimin e fundit e quan “turpërim politik”. Në fund, ai e përmbyll reagimin e tij me fjalët: “Kronikë e një dështimi të paralajmëruar.”

Reagimi i plotë:

Vendimi më i lehtë dhe më i drejtë që kam marrë në jetën time politike ka qenë dita kur i thashë Arben Taravarit: “Pa mua, pa neve”.

Pa ne, sepse ishte gabim. Gabim në parime, gabim në qasje, gabim në logjikë, gabim në përllogaritje, gabim në gjithçka. Shkoi për gjashtë komuna, ra në katër dhe në fund mbeti me zero.

Por ai kishte matematikat e veta. ASH-ja as që i interesonte. Prandaj mori vendimin që mori dhe u strehua te Ali Ahmeti, të cilin e shante me gjithë qenien e tij. Bashkë bënë fushatë për “shqiptari” dhe për “referendum”, ndërsa me partnerin e ri të vjetër, Ziadin Selën, as që flisnin. Dhe kështu, u turpëruan bashkë.

Sa herë që thotë “me plot përgjegjësi”, “pa asnjë dyshim”, “absolutisht” apo “kam informacione”, dijeni se po gënjen. Në fushatë thoshte “do të fitojmë 3 me 1”, sot thotë “me 25 për qind”, nesër një zot e din se çfarë do të shpikë. E tmerrshme. Kronikë e një dështimi të paralajmëruar.