Rajoni

Murati: Udhëzimi që shfuqizoi Supremja për veteranët u miratua gjatë qeverisjes PDK-LDK, do ta analizojmë

Shpërndaje

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, i cili kufizonte të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për kompensim financiar.

Murati ka thënë se do të analizojnë nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik.

Ai ka thënë se udhëzimi në fjalë ishte miratuar në vitin 2015 dhe ndryshuar në 2017 gjatë qeverisjes PDK-LDK, e jo gjatë Qeverisë Kurti.

“Interpretimi mbizotërues i deritanishëm në lidhje me këtë paragraf që mundëson përfitimin e benefitit edhe për ata që punojnë jashtë sektorit publik ka qenë që, parakusht i zbatimit të këtij paragrafi është përmbyllja e kategorizimit të Veteranëve sipas paragrafit 4 të nenit në fjalë. Ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhepse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan. Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë”, ka shkruar Murati në Facebook.