VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër
Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend.
Sipas tij, pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Konjufca tutje ka thënë “në çdo shtet serioz, opozita dhe pushteti arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm”.
“Ky është momenti në Kosovë”, ka thënë ai.
Njoftimi nga LVV:
Mbledhja LX e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Sot u mbajt Mbledhja e LX-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në një kohë vendimtare për Republikën tonë dhe në një atmosferë të mbushur me përgjegjësi politike, reflektim e unitet të plotë organizativ. Si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe si subjekti më i madh në vend, Lëvizja VETËVENDOSJE! po e mban drejtimin me pjekuri dhe përkushtim, duke ofruar rrugëdalje nga bllokimi aktual politik e institucional që po i shkaktohet shtetit.
Në hapje të mbledhjes, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri Albin Kurti, mbajti fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit, duke folur për situatën politike të krijuar dhe përgjegjësinë që Lëvizja mban si forca më e madhe politike dhe qeverisëse në vend.
Kryeministri Kurti theksoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! është dhe mbetet e gatshme për zgjedhje në çdo kohë, që sot, në dhjetor, në prill, në vitin e ardhshëm, dhe krahas kësaj po e jep edhe një mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kotë të shkaktuar nga kokëfortësia e inati, nga kalkulimet e gabuara, bllokim që po bëhet i dëmshëm, jo për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për Republikën e Kosovës.
Propozimi im sot nuk është lëshim, por një përgjegjësi e re ndaj vendit. Ne duam që të shmanget mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda pak muajsh, që buxheti i vitit 2026 të miratohet në kohë dhe që institucionet të mos bllokohen për shkak të inateve politike. Prandaj, si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! propozoj që për mandatin e dytë për formimin e Qeverisë të jetë mandatar nënkryetari i Lëvizjes, Glauk Konjufca. Ai gëzon besimin tonë të plotë, është shok, bashkudhëtar dhe bashkëpunëtor i rrugëtimit tonë të përbashkët. Me këtë veprim, ne i japim opozitës një mundësi të artë për të dëshmuar përgjegjësi ndaj vendit, jo përballë nesh, por përballë popullit, tha Kryeministri Kurti.
Duke elaboruar më tej, ai kujtoi se ky propozim vjen si shprehje e vullnetit politik për të mos e mbajtur peng vendin, për të siguruar miratimin e buxhetit, për të garantuar pagesat e 85 mijë punonjësve publikë, 300 mijë pensionistëve dhe 400 mijë fëmijëve që marrin shtesa nga buxheti, shto këtu edhe dhjetëra mijëra fermer e mijëra biznese që marrin subvencione nga shteti.
Lëvizja VETËVENDOSJE! po e ofron këtë rrugë si zgjidhje për Kosovën. Nuk duam bllokim, duam përgjegjësi. E nëse kjo përgjegjësi nuk merret nga të tjerët, populli do ta marrë përsëri vetë në dorë përmes zgjedhjeve. Ne jemi gati për çdo skenar, por gjithmonë për Kosovën dhe për qytetarin.
Në këtë mbledhje, Këshilli i Përgjithshëm miratoi propozimin e Kryetarit Kurti që emri i Glauk Konjufcës të dërgohet për mandatim si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij pas pranimit të nominimit, Nënkryetari i Lëvizjes Glauk Konjufca, falënderoi Kryetarin Kurti dhe anëtarët e Këshillit për besimin dhe nënvizoi se ky veprim përfaqëson aktin më të lartë të përgjegjësisë politike.
E pranoj këtë nominim me përulje dhe me ndjenjë detyrimi ndaj popullit. Kjo është thirrje nga detyra që na shndërron në shërbyes të interesit publik. Interesi më i thellë publik sot është shmangia e dy palë zgjedhjeve brenda katër muajsh dhe miratimi i buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen pagat, pensionet, shtesat e fëmijëve dhe projektet ekzistenciale për vendin. Kjo është rruga e përgjegjësisë që ndjekim, tha Konjufca.
Konjufca theksoi gjithashtu se qëllimi i kësaj qeverie të propozuar është të ruajë stabilitetin institucional e ekonomik të Republikës, të përmbyllë proceset e domosdoshme, e pastaj vendi të shkojë në zgjedhje të reja sipas afateve kushtetuese.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh me mirënjohje për Kryeministrin Kurti:
I dashur kryetar, mik e bashkudhëtar i këtij rrugëtimi, populli pret që shumë shpejt të rikthehesh edhe më i fuqishëm se në vitin 2021. Ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë. Sot po bëjmë një hap të përbashkët në të mirë të Republikës që Kosova të ecë përpara, që shteti të mos bllokohet dhe që populli të mos ndëshkohet për shkak të llogarive të ngushta politike. Ky është vendimi i drejtë, vendimi shtetëror.
Mbledhja e LX-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mbyll me miratim unanim të vendimit për propozimin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë, duke riafirmuar unitetin, vendosmërinë dhe përgjegjësinë e Lëvizjes si forca udhëheqëse e shtetit dhe shpresa e qytetarëve për zhvillim, drejtësi dhe prosperitet.

