RajoniTop Lajme

Kriza në RTK, Basha thirrje deputetëve: Votoni Komisionin për Buxhet

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ripërsëritur thirrjen drejtuar deputetëve të subjekteve të tjera politike që t’i japin mbështetje krijimit të Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, mënyrë kjo e cila do t’i jepte zgjidhje çështjes së pagave për rreth 700 punëtorët e RTK-së.

Kryekuvendari, që paradite kishte dalë për t’i takuar punëtorët e RTK-së që të organizuara nga dy sindikatat ajo e televizionit dhe e radios protestuan para hyrjes së legjislativit këtë të hënë, më pas priti në zyrë përfaqësuesit sindikal.

Ai ka thënë se, biseda mes tyre u zhvillua me përkushtim dhe mirëkuptim, me synimin për të gjetur zgjidhje të drejtë për pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së dhe për funksionimin e qëndrueshëm financiar të institucionit publik të transmetimit.

“Si Kryetar i Kuvendit, kam dhënë mbështetjen time të plotë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi tashmë kemi një Kuvend funksional dhe ekziston mundësia ligjore për të vepruar në këtë drejtim. Të njëjtën qasje e kam mbajtur edhe në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, ku kam kërkuar formimin e trupave parlamentare, në mënyrë që të hapet rruga për Komisionin përkatës për Buxhet, i cili më pas do të mund të miratonte Raportin e Shpenzimeve të RTK-së dhe të mundësonte procedimin e mjeteve përmes Thesarit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Basha.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Nenad Rashiq, kanë shprehur mbështetjen e tyre për themelimin e Komisionit për Buxhet dhe miratimin e Raportit në këtë komision.

“Megjithatë, kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme, pasi për themelimin e komisioneve parlamentare kërkohet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së deputetëve të Kuvendit, ndërsa për miratim nevojitet shumica e thjeshtë e tyre”, sqaroi ai.

Basha, tha votimi për komisione nuk është çështje politike, por çështje e mirëqenies së rreth 700 familjeve që jetojnë nga puna dhe pagat e punëtorëve të RTK-së.

“Prandaj, ne frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi, u bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve të tjera parlamentare që ta mbështesin këtë iniciativë, sepse votimi për komisione nuk është çështje politike, por çështje e funskionalizimit te institucionit publik të transmetimit dhe mirëqenies së rreth 700 familjeve që jetojnë nga puna dhe pagat e punëtorëve të RTK-së”, ka shkruar ai.

Sot para Kuvendit të Kosovës, Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës protestuan në shenjë pakënaqësie për mungesë pagash, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e presidentes Osmani.

Nderkohë, të enjten e javës së shkuar Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) protestoi para hyrjes së Radio Televizionit Publik, deri kishin paralajmëruar se nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për grevë të përgjithshme.