E pazakontë, kërcënohet me vrasje drejtori i hekurudhave zvicerane për shkak të një tenderi
Kompania shtetërore e hekurudhave të Zvicrës SBB ka vendosur të blejë trena në vlerë prej 2 miliadë franga nga kompania gjermane Siemens, duke anashkaluar konkurrentin zviceran Stadler Rail. Kjo ka nxitur shumë reagime në Zvicër – madje deri te kërcënimet me vrasje.
Siç njofton gazeta “SonntagsBlick” truprojat janë duke e mbrojtur drejtorin e hekurudhave zvicerane (SBB) Vincent Ducrot pasi kjo ndërmarrje shtetërore i dha një tender prej 2 miliardë frangash kompanisë gjermane Siemens. Në konkurrencë ishte edhe kompania e njohur zvicerane për prodhimin e trenave, Stadler Rail, e cila nuk u mor parasysh. Persona anonimë kanë akuzuar Ducrot për tradhti ndaj vendit. Kompania SBB pranoi indirekt se janë marrë masa për mbrojtjen e drejtorit.
Për kulturën politike të Zvicrës është tepër e pazakonshme që një menaxher i një ndërmarrjeje shtetërore të marrë kërcënim me vdekje. Në të shumtën e rasteve madje edhe ministrat zviceranë udhëtojnë me tren dhe pa truproje.
Policia federale (Fedpol) njoftoi për “SonntgsBlick” se “për arsye sigurie, nuk japim informacione për masat e sigurisë apo masat konkrete të mbrojtjes”.
Ndërkohë, të enjten krerët e SBB janë takuar me përfaqësues të Stadler Rail për të shpjeguar se pse kompania zvicerane nuk e fitoi tenderin. “Ashtu siç është zakon në tenderë, ne informojmë çdo ofertues në mënyrë transparente se si është bërë vlerësimi i ofertës së tij”, njoftoi SBB. “Këto biseda janë të zakonshme në tenderë publikë dhe nuk kanë lidhje me diskutimet mediatike”.
SBB gjithashtu mohoi thashethemet se anëtari i bordit të SBB-së, Thomas Ahlburg, ka bërë propagandë kundër Stadler. Ahlburg ka qenë drejtor i Stadler Rail nga viti 2018 deri në maj 2020 dhe u largua pas mosmarrëveshjeve me pronarin Peter Spuhler, i cili ka qenë deputet në parlamentin zviceran dhe konsiderohet si njëri nga menaxherët më me ndikim të ekonomisë zvicerane.
“Bordi nuk ka ndikim në dhënien e kontratës”, theksoi SBB.
Bordi thjesht është informuar për rezultatin. Dhënia e kontratës është bërë rreptësisht sipas rregullave të ligjit të prokurimeve, thuhet më tutje. “Rreth 100 specialiste dhe specialistë të SBB-së kanë vlerësuar kriteret në mënyrë objektive dhe të pavarur. Pikët që rezultuan prej kësaj kanë qenë vendimtare”, u tha ndër tjera.
Nuk ka pasur garë “kokë më kokë” mes Siemens dhe Stadler.
“Vendimi ka rënë qartë në favor të Siemens Mobility”, theksojnë SBB.

