Siguria e gazetarëve është parakusht për një shoqëri të lirë; MPB i trajton me prioritet më të lartë të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve
Ministria e Punëve të Brendshme mori pjesë me përfaqësuesit e saj në ngjarjen e sotme “Mbrojtja e punëtorëve mediatikë – në terren dhe në hapësirën online”, të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Fondacioni “Friedrich Ebert”, me pjesëmarrje të punëtorëve mediatikë, Prokurorisë Publike, AVMU-së, Federatës Evropiane të Gazetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Në ngjarje u theksua roli kyç i punëtorëve të medias në një shoqëri demokratike, si dhe fakti se çdo sulm, presion apo pengesë ndaj punës së tyre përbën kërcënim për interesin publik, lirinë e informimit dhe vlerat themelore demokratike.
Në bashkëpunim me institucionet kompetente, MPB ka vendosur protokolle të qarta dhe funksionale për veprim në rastet e sulmeve ose kërcënimeve ndaj gazetarëve. Në të gjitha sektorët rajonalë për punë të brendshme janë caktuar pika lokale kontakti për mbështetje të punëtorëve mediatikë, ndërsa në Sektorin për Krim Kibernetik funksionon një pikë e veçantë për pranimin e paraqitjeve për kërcënime online.
Gjithashtu, Ministria informoi se pika kombëtare fokale për fushatën e Këshillit të Evropës “Gazetarët janë të rëndësishëm”, ndihmës-ministri për marrëdhënie me publikun, Muhamed Ismailji, është caktuar me qëllim të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e punëtorëve mediatikë. Në proces është edhe iniciativa për formimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve, një trup shumësektorial që do të punojë në hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit.
MPB konfirmoi se të gjitha paraqitjet për kërcënime, sulme fizike apo verbale ndaj gazetarëve trajtohen me prioritetin më të lartë dhe se veprimi i shpejtë mbetet parim thelbësor në mbrojtjen e punëtorëve mediatikë.
Në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Ministria prej disa vitesh mban një regjistër të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili është i qasshëm publikisht në ueb-faqen e MPB-së. Është përgatitur edhe Udhëzuesi për Sigurinë e Gazetarëve, ndërsa zhvillohen rregullisht trajnimet dhe aktivitetet edukative me qëllim forcimin e parandalimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në fjalën e tij përmbyllëse, ndihmës-ministri i Punëve të Brendshme i ngarkuar për marrëdhënie me publikun, Muhamed Ismailji, theksoi:
“Siguria e punëtorëve mediatikë është parakusht për informim të lirë dhe për funksionimin e një shoqërie demokratike. Ne kemi vendosur mekanizma për mbrojtje, por efikasiteti i tyre varet edhe nga paraqitja me kohë e çdo incidenti. Ne mbetemi të përkushtuar që profesionistët që e informojnë publikun të mund ta kryejnë punën e tyre pa frikë.”
Ai inkurajoi punëtorët mediatikë të përdorin kanalet e disponueshme për paraqitjen e kërcënimeve dhe sulmeve dhe konfirmoi se MPB do të vazhdojë me mbështetje të plotë, koordinim aktiv dhe angazhim të përkushtuar në drejtim të mbrojtjes së tyre.

