UNT shënoi 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me Akademi solemne
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir sot organizoi Akademi solemne, ku, mes personalitetesh të profileve të ndryshme, u fol për peshën e shumëanshme që kishte përfundimi i suksesshëm i punimeve të këtij kongresi historik.
Siç kumtuan nga pres shërbimi i UNT-së, Akademinë solemne e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Lulzim Aliu, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës, Granit Osmani, drejtor i Agjencisë për zbatimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut, Aldo Kelmenti, diplomat nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në RMV, ndërsa referat kryesor për shënimin e 22 Nëntorit zhvilloi dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.dr. Mustafa Ibrahimi.
Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup Prof.Dr. Bekim Fetaji në fjalën mirëseardhëse tha se Gjuha shqipe dhe alfabeti jonë përbëjnë jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një urë prijëse në identitetin kombëtar, në trashëgiminë dhe në vlerat që ruajmë.
“Me rastin e 22 nëntorit, ne përkujtojmë jo vetëm formimin e alfabetit, por edhe rëndësinë e vazhdimësisë së gjuhës, të edukimit dhe të përkushtimit ndaj dijes”, tha mes tjerash Fetaji.
Zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës Lulzim Aliu tha se më shumë se një shekull më vonë, ne vijojmë të jemi rojtarë të kësaj trashëgimie të çmuar.
“Alfabeti ynë është mjeti me të cilin ne shkruajmë historinë tonë, me të cilin formojmë brezat e rinj, me të cilin krijojmë shkencë, art dhe kulturë”, tha Aliu.
Drejtor i Agjencisë për zbatimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut, Granit Osmani tha se Agjencia në mënyrë sistematike mbron gjuhën e shkruar shqipe, me ekipin e saj profesionistësh të dëshmuar në këtë fushë.
Aldo Kelmenti, diplomat nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në RMV vlerësoi UNT-snë për rolin që luan në kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në vend.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.dr. Mustafa Ibrahimi gjatë referatit të tij tha se intelektualët shqiptarë lidhur me shkrimin unik të shqipes, përveç luftës që duhej bërë kundër pushtetmbajtësve osman, qarqeve feudale e klerikale, fanariotëve greke dhe qeverive reaksionare fqinje të cilët përpiqeshin ta pengojnë përhapjen dhe afirmimin e shkrimit dhe të shkollës shqipe, patriotët shqiptarë duhej të luftojnë edhe kundër interesave lokale dhe egoiste të disa shoqërive e grupeve kulturore shqiptare.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi trepalësh në mes Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës në RMV, si dhe Muzeu i Alfabetit në Manastir. Akademinë solemne e moderoi profesoresha Genta Spahija Mirzo.

