Zv.Kryeministri Arben Fetai në 117-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir
Sot, si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai ka qenë nikoqir i manifestimit qendror për shënimin e 117-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe, njofton albazone media.
Në Manastir, aty ku në vitin 1908 u përcaktua alfabeti i gjuhës sonë dhe u vendos një prej themeleve më të rëndësishme të identitetit modern shqiptar, u mblodhëm për të nderuar një ngjarje që vazhdon të bashkojë dhe frymëzojë breza, tha Fetai.
Postimi i plotë:
Sot, në emer te Qeverisë se Maqedonisë se Veriut, pata kënaqësinë të jem nikoqir i manifestimit qendror për të shënuar 117 vjetorin e alfabetit gë gjuhës shqipe.
U mblodhëm në Manastir, aty ku në vitin 1908 u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe dhe u vendos një prej themeleve më të rëndësishme të identitetit tonë modern.
Prania e Kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve institucionalë nga mbarë hapësira shqiptare e konfirmoi edhe një herë se gjuha shqipe mbetet elementi ynë më i fortë i vetëdijes kombëtare. Ajo është më shumë se mjet komunikimi. Është orientimi ynë historik dhe europian.
Detyra jonë është të vazhdojmë forcimin të kësaj trashëgimie përmes arsimit cilësor, kulturës së gjallë dhe institucioneve të përgjegjshme. Kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar vizionin e delegatëve të vitit 1908 dhe për ta çuar përpara amanetin e tyre.

