Nga nesër, punëtorët e RTK-së në grevë të përgjithshme
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se, të gjithë punonjësit e mediumit publik, nga e hëna (nesër), nga ora 11:00 deri në ora 13:00, të gjithë sektorët në Radio-Televizionin e Kosovës do të hyjnë në grevë.
“Nëse situata vazhdon e paqartë dhe kërkesat tona nuk adresohen, Sindikata do të marrë vendim për bojkot të shumicës së emisioneve dhe lajmeve në RTK. Gjatë kohës së grevës, krahas ndaljes së punës, do të organizohen protesta dhe do të ndërmerren veprime të tjera në ekran si shenjë e protestës për situatën e rëndë që po kalojnë kolegët dhe transmetuesit publik”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Duke e parë situatën që është krijuar në RTK për shkak të mungesës së buxhetit, sindikata i ka bërë thirrje menaxhmetit që të marrë vendim për bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik, në të kundërtën, sindikata ka “kërcënuar” se vetë do të marrë vendim për bojkotimin e fushatës dhe ngjarjeve politike.
“Ftojmë mediet që të jenë të pranishme në fillimin e grevës së përgjithshme për të ndjekur nga afër zhvillimet. Ky veprim është ndërmarrë pas dërgimit të kërkesave tona dhe njoftimit të të gjithë akterëve përkatës 7 ditë më parë, në përputhje me ligjin për grevat. Edhe njëherë, bëjmë thirrje që Menaxhmenti të marrë vendim për bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik. Nëse kjo nuk ndodh, Sindikata do ta marrë këtë vendim vetë”, bën të ditur sindikata.

