RajoniTop Lajme

Kurti: Kosova po forcon bashkëpunimin me SHBA-të

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur kongresistin republikan Mike Turner dhe kongresistin demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e ka katërfishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë këtij mandati qeverisës, duke rritur kapacitetet mbrojtëse dhe duke modernizuar pajisjet me sisteme të reja, ndër to edhe prodhime amerikane.

Ai njoftoi se në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në programe trajnuese dhe edukim ushtarak në SHBA, përfshirë West Point dhe U.S. Army War College.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të SHBA-ve ndaj shtetit të Kosovës, duke theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.