BotaTop Lajme

Plani i paqes/ Putin bisedë telefonike me Erdogan: Mbështesim planin e Trumpit

Shpërndaje

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu turk Recep Tayyip Erdogan kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku kanë diskutuar planin e propozuar nga SHBA-ja dhe Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kremlini njoftoi se Moska e konsideron këtë propozim si një bazë të mundshme për një zgjidhje paqësore.

Putin theksoi se propozimet amerikane janë në përputhje me idetë e diskutuara më herët në samitin Rusi–SHBA në Alaska dhe mund të shërbejnë si bazë për marrëveshjen përfundimtare. Ai përsëriti angazhimin e Rusisë për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit.

Erdogan nga ana e tij i ka shprehur Putinit gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur procesin e paqes, duke ofruar Stambollin si një platformë të mundshme për negociata. Të dy udhëheqësit ranë dakord të intensifikojnë kontaktet në lidhje me Ukrainën në nivele të ndryshme.

Gjatë bisedës, Putin dhe Erdogan diskutuan edhe mbi zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u fokusuar tek bashkëpunimi tregtar, investimet dhe projektet strategjike në energji. Erdogan ndau gjithashtu detaje nga pjesëmarrja e tij në samitin e G20 në Johanesburg.

Të dy liderët u dakordësuan të mbajnë komunikim të rregullt në vijim.