“Made in Kosova”/ Kurti: Do prodhojmë armë, fabrika do të ndërtohet në Gjakovë
Albin Kurti njoftoi se municionet e para të fabrikës së armatimeve që do të ndërtohet në Gjakovë, do të prodhohen në fund të vitit 2026. Qeveria në detyrë e Kosovës i dha OK-in kërkesës për shpronësimin e ish-kombinatit bujqësor Ereniku, dhe ndërtimin e zonës industriale në Jahoc, ku do të jetë dhe fabrika në fjalë.
“Në këtë mënyrë, i hapim rrugën ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së këtij lloji në Kosovë e cila do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta shtojë sigurinë tonë dhe do t’i rrisë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, shprehet Albin Kurti.
Nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria kishte njoftuar për nisjen e procesit për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, të njohura si dronë. Dhjetorin e po atij viti, Prishtina zyrtare firmosi nënshkroi marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë Makine ve Kimya Endüstrisi, për ndërtimin e fabrikës.
“Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga do të dalin në fundin e vitit që po vjen. Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova.”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës pohoi më tej se gjatë mandatit katërvjeçar, Forca e Sigurisë së Kosovës që sot shënon ditën e saj, është pajisur me armatime modern, dhe theksoi se gjatë kësaj periudhe, mbi 430 milionë euro janë shpenzuar për këtë qëllim kanë shkuar për blerje të armatimit për FSK-në.
Viteve të fundit, Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje dhe së voni vendi ka pranuar dronë, autoblinda dhe pajisje të tjera që i ka blerë nga prodhues të ndryshëm amerikanë.
*****
Dita e Forcës na gjen më të fortë se kurrë më parë. Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara, ushtria jonë ka qenë më pak e pajisur edhe se vetë Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne, me dronë Skydagger dhe TB-2 Bayraktar nga Turqia, Puma dhe sistem anti-tank Javelin nga ShBA, e së shpejti do të kemi fabrikë të municionit dhe prodhimit të dronave Made in Kosova e helikopterë Black Hawk nga ShBA.
Me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj jetojnë të sigurtë, në paqe, zhvillohen dhe lulëzojnë. Gëzuar të gjithëve Dita e Forcës, 27 nëntori, dhe një falenderim i veçantë për aleatët tanë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe oficerët, nënoficerët, ushtaret e ushtarët tanë, të cilët edhe në ditë të festave shërbejnë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve pa dallim. Urime!

