RajoniTop Lajme

KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Shpërndaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që Lista Serbe nuk do të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Nga votimi rezultuan 2 vota kundër, 2 pro dhe 6 abstenime.

Subjekti politik serb ka të drejtë të apelojë vendimin e KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka deklaruar se partia e tij është kundër certifikimit.

“Jam kundër rekomandimit për certifikimin e listës Srpska”, tha Kurteshi.

Nga ana tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh se subjektet politike të regjistruara nuk kanë nevojë për vendim shtesë për t’u certifikuar.

“Unë konsideroj se, në bazë të ligjit dhe rregullores për certifikimin e subjekteve politike, ato që janë të regjistruara pranohen automatikisht dhe nuk ka nevojë për vendim të KQZ-së. Po ashtu kam një çështje tjetër që lidhet me subjektet politike që kanë qenë në koalicione; ato është dashur t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe të drejtat që iu takojnë. Po flas për Nismën dhe AAK-në që kanë qenë parti të regjistruara”, tha Elshani.

Edhe anëtari tjetër i PDK-së, Ilir Gashi, theksoi se ligji e trajton qartë çështjen e certifikimit.

“Dua t’i parafrazoj kolegët, por po sfidohen rekomandimet e zyrës dhe kjo është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Siç e thotë neni 16, pika 3, partitë e regjistruara janë automatikisht të certifikuara. Rrjedhimisht, për mua të gjitha subjektet politike janë të certifikuara. Do të doja ta përfillnit këtë ligj, ose të trajtohen subjektet një nga një”, u shpreh Gashi.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, sqaroi çështjen e partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve.

“Lidhur me koalicionet, e kemi trajtuar qartë. Neni 19 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, paragrafi 5, thotë se subjekti politik që është anëtar i koalicionit pas përfundimit të mandatit e gëzon të drejtën e fituar para themelimit të koalicionit. E drejta e AAK-së para themelimit të koalicionit ka qenë se ka qenë subjekt parlamentar dhe, si e tillë, AAK përjashtohet nga pagesa e certifikimit dhe mbledhja e nënshkrimeve”, tha Buzhala.