MaqedoniTop Lajme

Kryeparlamentari Gashi pret në takim Imamin e Qabës, Shejh Dr. Mahir Muajkali

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim miqësor dhe vëllazëror me Imamin e Qabës, Shejh Dr. Mahir Muajkali, i cili po qëndron për vizitë në vend.

“Pata privilegjin të mirëpres në Kuvend, në një takim miqësor dhe vëllazëror, Imamin e Qabës, Shejh Dr. Mahir Muajkali”, ka deklaruar Gashi në njoftimin e tij zyrtar.

Sipas tij, biseda është përqendruar në rëndësinë e vizitës dhe në respektin e ndërsjellë mes institucioneve të dy vendeve.
“Gjatë bisedës, diskutuam mbi vlerën e vizitës së tij dhe respektin e ndërsjellë”, theksoi ai.

Kryeparlamentari bëri të ditur gjithashtu se ka shprehur falënderimet për autoritetet e Arabisë Saudite për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
“Përcolla mirënjohjen për autoritetet shtetërore të Mbretërisë së Arabisë Saudite për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm”, u shpreh Gashi.

Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve shpirtërore dhe vlerave që bashkojnë dy vendet, si dhe vullnetin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit institucional.

“Theksuam rëndësinë e forcimit të lidhjeve shpirtërore dhe vlerave që na bashkojnë. Shprehëm gatishmërinë për intensifikimin e mëtejmë të marrëdhënieve institucionale”, përfundoi Gashi.