RajoniTop Lajme

Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës

Shpërndaje

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka vendosur se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

Shala ishte dënuar me tre vjet burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, pas marrëveshjes që pati arritur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar për pranimin e fajësisë.

“Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh”, thuhet në vendimin e DHSK-së.

Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari ishin dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë. Januzi dhe Bahtijari në shkurt qenë liruar me kusht me urdhër të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Trendafilova – të dy ishin të dënuar me nga dy vjet burgim.

Gjykata me seli në Hagë pati konstatuar se secili prej tyre ka qenë pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi në Gjykatë, duke u premtuar përfitime.

Sipas gjykatës, Januzi dhe Bahtijari duke vepruar nën udhëzimet e Shalës janë takuar me dëshmitarin në shtëpinë e vetë më datë 5 dhe 12 prill 2023. Në takimin e datës 5 prill Bahtijari i ka thënë se duhet që të tërheqë dëshminë e tij. E më 12 prill Januzi i ka bërë dëshmitarit një ofertë se Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë në rast se do të tërhiqte dëshminë e dhënë.