Përfundon mbledhja, Këshilli i Mandateve nuk i heq imunitetin Belinda Ballukut
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku, hap që do t’i çelte rrugë arrestimit të saj, ndërsa mësohet se deri tani nuk është caktuar një datë për zhvillimin e mbledhjes së radhës.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, përfaqësuesit e PD-së kërkuan që mbledhja e radhës të zhvillohet të hënën, ndërsa PS-ja dhe avokati i ministres propozuan që ajo të mbahet në muajin janar, teksa SPAK ka kërkuar vijimin e procedurës pas 5 ditësh, por pavarësisht këtyre qëndrimeve, ende nuk ka një datë zyrtare të caktuar për mbledhjen e radhës.
Ndërkohë deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit do të lejohen të marrin me vete USB-në që përmban materialet hetimore të SPAK lidhur me çështjen e Belinda Ballukut. Vlen të theksohet se paka para se të mbyllej mbledhja ka patur një pushim të shkurtër.
Në këtë kohë, teksa po bëhej pak pushim, në kryeministri është rikthyer Edi Rama, aty ku ndodhet që nga ora 10:00 zv/kryeministrja Belinda Balluku.
USB-ja me provat për arrestimin e Ballukut do të merret nga deputetët
Deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit do të lejohen të marrin me vete USB-në që përmban materialet hetimore të SPAK lidhur me çështjen e Belinda Ballukut. Pavarësisht qëndrimit fillestar të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi që dokumentacioni të mos largohej nga salla e mbledhjes, palët kanë arritur një dakordësi që deputetët ta aksesojnë USB-në edhe jashtë mbledhjes, por vetëm nga anëtarët e Këshillit dhe në respekt të procedurave ligjore.
SPAK ka sqaruar se materiali hetimor mund të përdoret vetëm nga deputetët e autorizuar, ndërkohë që ka dhënë miratimin që edhe avokati i Ballukut të njihet me provat. Avokati ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes për tre javë, me argumentin se ka nevojë për më shumë kohë për t’u njohur me aktet, por kjo kërkesë është kundërshtuar nga prokurorët, të cilët kanë theksuar se një afat maksimal prej pesë ditësh është i mjaftueshëm.
Sa i përket vijimit të procesit, palët politike mbeten të ndara edhe për datën e mbledhjes së radhës. Deputetët demokratë kanë kërkuar që ajo të zhvillohet më 22 dhjetor, ndërsa socialistët propozojnë shtyrjen për në muajin janar. Deri tani, nuk ka një vendim përfundimtar, çka tregon se përplasja politike rreth çështjes së imunitetit të Ballukut vijon të mbetet e hapur.
PD dhe PS kërkojnë që të shtyhet arrestimi i Belinda Ballukut
PS dhe PD janë dakordësuar për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe të mbahet në janar mbledhja e radhës. Në mbledhjen e sotme, e cila po zhvillohet ende, PS dhe PD kërkojnë kohë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK lidhur me shkarkimin nga detyra dhe heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Ballukut, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.
Shtyrja është bërë me kërkesë të përbashkët të mazhorancës dhe opozitës, ndonëse PD publikisht deklaron se mbështet arrestimin e Ballukut. Ky qëndrim i dyzuar i opozitës, që nga njëra anë flet për ndëshkim dhe nga ana tjetër pranon shtyrjen, ngre dyshime mbi rolin real të palëve politike në këtë proces.
Avokati i Ballukut ka kërkuar 3 javë kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes, ndërkohë që në Këshillin e Mandateve vijon debati për USB-në me provat e SPAK. Socialistët insistojnë që materialet të mos shpërndahen për akses individual, ndërsa prokurorët e SPAK kanë deklaruar se provat mund të njihen nga anëtarët e Këshillit dhe se shqyrtimi i materialeve mund të marrë maksimumi 5 ditë.
Në këtë kontekst, lindin pyetje të forta publike. Pse PS dhe PD, me kërkesë të përbashkët, po e zgjasin afatin përtej 5 ditëve që përmend SPAK? Për PD që medemek kërkon arrestimin e Ballukut, a nuk është shtyrja e mbledhjes mundësi për të cenuar apo manipuluar provat?

