Hamza publikon zotimin e dytë programor: Rritje 50% e pensioneve dhe ndihmave sociale
Kandidati i PDK-së për kryeministër thotë se asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë nën 250 euro.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar videon e dytë nga pesë zotimet kryesore programore, e cila kësaj radhe i kushtohet rritjes së pensioneve dhe ndihmave sociale.
Në videomesazhin e tij, Hamza ka theksuar se pensionet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një jetë dinjitoze, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazike.
“Unë e di që pensionet e sotme nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme, sidomos në një kohë kur çdo gjë është shtrenjtuar, nga ushqimi te barnat e deri te shërbimet bazike,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë të ditur se programi i tij parasheh rritjen për 50 për qind të të gjitha pensioneve, përfshirë pensionet e moshës, ato kontributdhënëse, pensionet e kategorive të luftës, të aftësisë së kufizuar dhe pensionet invalidore, pa asnjë përjashtim.
Sipas Hamzës, asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë më i ulët se 250 euro. Po ashtu, ai ka njoftuar se me qeverisjen e tij do të rriten për 50 për qind edhe të gjitha ndihmat sociale.
“Me mua kryeministër, shteti do të jetë pranë jush,” ka përfunduar Hamza.

